Behgjet Pacolli

Politika

President (Aktual)
Themeluesi AKR-së në 2006, partisë së vetme me program ekonomik të mirëfilltë, z.Behgjet Pacolli ishte surpriza e zgjedhjeve parlamentare të 2007. Në zgjedhjet e 2010, ai u paraqit në krye të koalicionit më të gjerë të partive, të quajtur Koalicioni për Kosovë të re, që gruponte Partinë për Drejtësi, atë socialdemokrate, grupin e ekspertëve E15, partinë e Gjelbër, partinë e Pensionistëve, etj. Në zgjedhjet vendore të 2013, AKR-ja e drejtuar nga zotëri Behgjet Pacolli fitoi dy komuna shumë të rëndësishme të Kosovës, falë cilësive të dy kandidatëve si Mimoza Kusari Lila-Gjakovën dhe Agim Bahtiri-Mitrovicën, por dhe programeve për zhvillim intensiv ekonomik nëpërmjet jetësimit  të zonave të lira ekonomike, projektit për rivitalizimin e Kompleksit Trepca, projekteve në agrobiznes, etj. Në zgjedhjet e fundit parlamentare të qershorit 2014, AKR  me program të mirëfilltë ekonomik që e integronte Kosovën me tregjet globale dhe rajonale, me një ekip ekonomistësh të shquar, me profesorë, inxhinierë,  mjekë dhe ekspertë të niveleve të larta, të formuar kryesisht në perëndim në listën e kandidatëve, garoi e vetme. Ajo arriti afro 4.8% të votave, (larg pragut prej 5% për një grusht votash) duke mbetur viktimë e premtimeve të shfrenuara të partive të tjera politike për rritje stratosferike të rrogave, e manipulimeve zgjedhore, etj.

President i vendit (2011)
Si President i Kosovës, megjithëse për një kohë të shkurtër, zoti Behgjet Pacolli ofroi një model të ri dhe aktiv të institucionit më të lartë të shtetit të Kosovës. Ai do të mbahet mend për aktivitet të ngjeshur brenda vendit, vizita të suksesshme në Shqipëri, Maqedoni, dhe mbi të gjitha për doktrinën e tij paralajmëruar në Parlamentin e Shqipërisë, për Bashkimin Ekonomik Kombëtar që niste me krijimin e një tregu kombëtar të mallrave, ideve, kapitaleve, etj, si parakusht të gjithë proceseve integrues. Behgjet Pacolli ishte politikani i parë, drejtuesi i parë i një institucioni kaq të rëndësishëm si Presidenca në 11 vjet që vizitoi tre herë veriun e vendit,  duke dhënë mesazhin e Kosovës si shtet unitar dhe i pandashëm.

Zëvendëskryeministër i parë i Kosovës (2011-2015)
Si zëvendëskryeministër i parë i Kosovës, me mandat për njohjet dhe investimet e huaja, zotëri Behgjet Pacolli ka dëshmuar qasje krijuese në punën e tij. Fokusimi i tij në zonën afrikane, por pa lenë mënjanë dhe vendet aziatike apo ato të Amerikës Qendrore, kryesisht në vendet me ndikim të madh solli si rezultat kalimin e pragut psikologjik prej 100 njohjesh. Sot Kosova ka 108 njohje, mbi gjysma e të cilave janë meritë tërësore ose në një pjesë të madheprej angazhimit të Behgjet Pacollit. Falë angazhimit si zëvendëskryeministër për ndryshim të kuadrit rregullativ dhe institucional për investimet e huaja, me synim krijimin e një mjedisi tërheqës për biznesin, Kosova miratoi dy zona të lira ekonomike dhe nisi ndryshimin e bazës ligjore për trajtimin e gjigandit metalurgjik dhe minerar, Trepcës sipas projektit të Behgjet Pacollit. Këto dy risi të punës së tij ekzekutive ishin pjesë e një platforme të detajuar për punën e zëvendëskryeministrit që u realizua vecse pjesërisht, për shkak të bllokimeve të shumta në të gjithë nivelet apo krahët e politikës.

Kryetar i Lëvizjes (Akutal)
Me këmbëngulje për jetësimin e ideve që hodhi në Parlamentin e Shqipërisë në 22 mars 2011, asokohe President, zoti Behgjet Pacolli organizoi në Tiranë në 9 korrik 2011, në bashkëpunim me dy universitete të hapësirës shqiptare, Forumin për hapësirën e përbashkët ekonomike kombëtare. Në të morën pjesë studiues të shquar të të dy vendeve, autoritete të larta shtetërore, ish presidentë, drejtues të asociacioneve të biznesit të cilët ofruan ide të jashtëzakonshme për jetësimin e kësaj hapësire jo vetëm në ekonomi, por dhe në kulturë, sport, arësim, etj. Pas referimeve interesante, në konsultim me autoritete akademike, me intelektualë të shquar dhe figura institucionale, si Arben Xhaferri, Rexhep Meidani, ish President i Shqipërisë, etj, zoti Behgjet Pacolli gjatë Forumit në fjalë, shpalli krijimin e Lëvizjes për Hapësirë Mbarëkombëtare Zhvillimi. Bordi i Lëvizjes ku u zgjodhën ish Presidentët Alfred Moisiu (2002-2007)Rexhep Meidani (1997-2002),filozofi i shquar Arben Xhaferri; Doktor Adrian Civici, president i Universitetit Europian të Tiranës, dhe Profesor Faik Brestovci, e zgjodhi zotin Behgjet Pacolli, Kryetar të Lëvizjes për Hapësirë Mbarëkombëtare Zhvillimi.

Para, gjatë dhe pas takimit të përbashkët të dy qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës në Prizren në janar të 2014, sipas doktrinës së tij për Bashkimin Ekonomik Kombëtar, zotëri Behgjet Pacolli ka formuluar propozime konkrete për hapësirë të përbashkët në teknologjitë e informacionit dhe komunikimit, kompani ajrore të përbashkët, spital të sëmundjeve të rënda së bashku me një qendër kërkimore të përbashkët, kompani hekurudhore rajonale, etj projekte panshqiptare, si demonstrim se kjo doktrinë është dokument strategjik kombëtar me vlera reale.

Intervista e fundit

Rrjetet sociale

Copyright © 2017 Behgjet Pacolli | Administrator: Naim Murseli