Behgjet Pacolli

Pacolli kujton Arbën Xhaferin

Si sot 3 vjet më parë u nda nga ne, Arben Xhaferi. Me kujtohet si tani kortezhin e gjatë ku bashkë me Edi Ramën, Ilir Metën, Albin Kurtin, Menduh Thaçin, me shumë politikanë shqiptarë e maqedonas, intelektualë dhe qytetarë të shumtë e përcollëm për në varrezën e pluhurosur të Tetovës në diellin përvëlues të gushtit 2012.

Për mua personalisht ishte një trishtim i madh që po humbja një mik të ri! Me Arbërin pak muaj më parë po diskutonim si të realizonim një kurs të ri ecjeje kombëtare që ai aq bukur e quajti Komunuelth të shqiptarëve.

Me humbjen e tij fizike, softueri i kësaj ecjeje moderne ngeli pa nunin, pa krijuesin e vet historik.

Për mua, ai ishte një mik i ri i madh dhe i vyeshëm. Më kujtohen si tani bisedat me të në hotel Swiss Diamond për shumë tema, mes të cilave gjuhën letrare si pasuri e madhe e patjetërsueshme e gjithë kombit. Ai reagoi me vendosmëri ndaj një ideje për kultivimin zyrtar të gegërishtes, duke thënë se gjuha e përbashkët letrare është monumenti ynë më i madh i Bashkimit Kombëtar.

Më kujtohet edhe një bisedë tjetër në shtëpinë time në Hajvali së bashku me Presidentin Mesiç që e çmonte shumë intelektualin tonë që i kishte kapërcyer kufijtë e ish Jugosllavisë. Ishte një orë e vonë kur ai na u bashkua mua, Presidentit Mesiç, Presidentëve Meidani dhe Moisiu në një bisedë me të vërtetë shumë interesante.

Arbër Xhaferi ishte një fqinj i vjetër i familjes time që njihte mirë të afërmit e mi, babën tim, vëllazërit e mi, por rrugë tona jetësore s’ishin kryqëzuar kurrë më parë. Ishte një kënaqësi e veçantë për mua që Arben Xhaferi, përfaqësuesi më i ndritshëm i elitës intelektuale të Prishtinës prej viteve 80 e këtej, dhe në përgjithësi të kombit shqiptar, bëhej miku im anipse vonë.

Miqësia jonë në pak kohë u konsolidua përkundër kritikave të egra që më kanë ardhur prej një pjese të kësaj elite intelektuale, me rrënjë të kuqe të Prishtinës. Kjo miqësi ishte dëshmia më e mirë se e vërteta kishte triumfuar: ai si njeri vizionar nuk kishte rënë pre e përjetshme e miteve të rrejshme që ishin konstruktuar rreth meje prej disa nga bashkëkohanikët e vet, apo dhe miqtë e vet të dikurshëm prej të cilëve ishte larguar. Ai vlerësonte tek unë siç thoshte se “në politikë kisha ardhur me dhënë, dhe jo me marrë”

Si për askënd tjetër, shumë prej nesh pajtohen se ai ishte një Rilindas modern i kombit shqiptar. Ai ishte njeriu që kishte shndërruar në alternativa politike qeverisëse dy Lëvizje çlirimtare, atë të Kosovës dhe atë të Maqedonisë si këshilltar, si protagonist i këtyre shndërrimeve properëndimore të kombit shqiptar. Ai i paraprinte proceseve emancipuese të kombit shqiptar me idetë e veta, me platformën e tij kombëtare, me kritikën e vet për dukuritë degraduese, me aksionin e vet politik. Mësimet e tij janë ndriçuese për shumë prej krizave tona të sotme, për ekstremizmin fetar, për marrëdhëniet me fqinjët, për orientimin properëndimor të kombit.

Unë nuk do rresht së luftuari për përjetësimin e emrit të tij në të gjitha format. Është minimumi i nderimit për Rilindasin tonë modern që na e kishin zili dhe fqinjët, për mikun tim të ri dhe komshiun tim të hershëm!


Intervista e fundit

Rrjetet sociale

Copyright © 2017 Behgjet Pacolli | Administrator: Naim Murseli