Media
Zëvendëskryeministri Pacolli nderohet nga shteti i Luizianës në SHBA.
5 dhjetor 2011
Vizita e Zëvendëskryeministrit të parë të Kosovës, zotit Behgjet Pacolli në SHBA, vazhdon me disa nderime publike dhe akademike nga institucione të ndryshme amerikane në shtetin e Luizianës
Të hënën, datë 5 dhjetor, zoti Pacolli do të nderohet nga bashkia e qytetit të Baton Rouge (Bato Ruzh), kryeqyteti i Luizianës, me titullin qytetar nderi. Titulli do t' i dorëzohet nga kryetari i kësaj bashkie, Melvin Kip Holden.
Në mesditën e po të njëjtës ditë, zoti Pacolli do të nderohet nga Universiteti i dytë më i madh i këtij qyteti, me Medaljen e Nderit të Kancelarit, nderim i lartë akademik i cili do t' i jepet personalisht nga Kancelari i këtij Universiteti, James Horton. Më pas zoti Pacolli do tu drejtohet me një ligjeratë studentëve dhe pedagogëve të këtij Universiteti.
Pasdite, ai do te nderohet gjithashtu nga Guvernatori i Shtetit te Luizianes, zoti Bobby Jindal.
Luiziana është një nga shtetet më interesante të SHBA-ve. Por mbi të gjitha këtu banon komuniteti më i madh i arbëreshëve në botë, jashtë Italisë, me mbi dhjetë mijë vetë. Ata janë shumë të organizuar dhe të vetëdijshëm dhe krenarë për origjinën e tyre. Njeri nga përfaqësuesit e vet më të rëndësishëm, mes dhjetra prej tyre që kanë qenë kuadro të spikatur të këtij shteti, është Bret Alden Clesi, konsull nderi i Shqipërisë në shtetin e Luizianës.

