Media
Zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli, fillon turne lobues në Afrikë, Azi dhe SHBA
16 nëntor 2011
Në kuadër të përgjegjësive institucionale për lobim, zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë së Republikës së Kosovës, z.Behgjet Pacolli do të fillojë një turne lobues në disa shtete afrikane, aziatike dhe në SHBA.
Fillimisht, më 17 nëntor, zëvendëskryeministri Pacolli do të vizitojë shtetin e Kamerunit ku do të takohet me presidentin Paul Biya dhe ministrin e punëve të jashtme të këtij shteti z. Henri Eyebe Ayissi.
Po në shtetin e Kamerunit, zëvendëskryeministri Pacolli do të takohet me Presidentin e Malit, Amadou Toumani Touré, i cili është duke qëndruar në këtë shtet në vizitë shtetërore.
Më 19 nëntor, zëvendëskryeministri Pacolli, do të udhëtojë në shtetin e Sao Tome-së, ku do të takohet me kryeministrin e këtij shteti, z.Patrice Emery Trovoada.
Më 19 nëntor në mbrëmje, zoti Pacolli do të udhëtojë për në Guinenë Ekuatoriale, ku do të zhvillojë një takim me presidentin e këtij shteti, z.Teodoro Obiang.
Turneun e tij lobues, zoti Pacolli do ta vazhdojë në shtetin e Sudanit, ku më datë 20 nëntor do të takohet me presidentin e këtij shteti, z.Omar al-Bashir.
Turneu i zotit Pacolli në Afrikë, pason tre turnetë e mëhershëm të tij në këtë kontinent, ndërsa rezultatet pozitive, sipas zotit Pacolli, priten të vijnë shumë shpejt.
Pas Afrikës, aktivitetet e tij lobuese për njohjen e Republikës së Kosovës, zoti Pacolli do t’i vazhdojë në kontinentin e Azisë, ku do të vizitojë Filipinet, Indonezinë, Tajlandën,Laos-in etj. Turneu i zotit Pacolli, do të vazhdojë edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku do të zhvillojë disa takime të rëndësishme.

