Media
Zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli vazhdon angazhimin për lirimin e pilotit James Berisha
2 tetor 2011
Një delegacion i lartë i shtetit të Eritresë, po qëndron në Kosovë, me ftesë të zëvendëskryeministri të parë të Qeverisë së Republikës së Kosovës, z.Behgjet Pacolli.
Gjatë mbrëmjes së ditës së dielë, në shtëpinë e tij, zëvendëskryeministri i parë, z.Pacolli ka qenë nikoqir i delegacionit nga Eritreja, me të cilët ka diskutuar për pilotin shqiptaro amerikan James Berisha, i cili është paraburgosur në shtetin e Eritresë gjatë aktivitetit të tij lobues në misionin “Flying for Kosovo”.
Zoti Pacolli, është shprehur shumë optimist pas këtij takimi, duke siguruar se tashmë kontaktet janë vendosur me autoritetet më të larta të Eritresë dhe ky problem do të zgjidhet në një të ardhme të afërt.
“E rëndësishme është që tashmë i kemi vendosur kontaktet me autoritetet më të larta shtetërore të Eritresë. Do të angazhohemi intensivisht, çdo ditë që ta zgjidhim këtë problem, që piloti Berisha të rikthehet në Kosovë dhe të vazhdojë misionin e tij. Jam optimist se ky problem do të zgjidhet shumë shpejt”, ka thënë zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli.

