Behgjet Pacolli

Shansi i humbur

Unë kisha ofertë ekonomike dhe jo ofertë demagogjike, fjalësh të bukura. Më vjen keq shumë, por ky shans iku dhe sfidat e mbijetesës sonë ekonomike, të luftës kundër varfërisë, për pasojë sfidat e qeverisjes ngelën para nesh dhe në kurrizin tonë
Bota flet për pafundësi të mundësive të humbura. Në fakt, historitë për raste të ndryshme të çuara dëm janë të pafundme.

Kinezët e lashtë kanë përdorur dy furça për të shkruar fjalën “krizë”. Njëra furçë për të simbolizuar rrezikun që kishte brenda vetë kësaj fjale, dhe tjetra për të simbolizuar mundësitë që gjenden brenda vetë kësaj fjale.

Tregimi për kinezët e lashtë nuk është zbulim i imi. Është tregimi i preferuar i presidentit amerikan John F. Kennedy, sa herë që i kërkonin që të fliste për optimistët dhe pesimistët.

Më 8 qershor morëm një rezultat i cili vetëm se formalisht tregon që unë dhe AKR humbëm zgjedhjet. Realisht, ky rezultat tregon se ne humbëm mundësinë për t`i shërbyer Kosovës në parlament dhe në qeveri.

Më vjen keq të humb modestinë, por më duhet të shkruaj për humbjen e një shansi të madh zhvillimi, i cili do të vinte nga AKR –ja në qeverisje.

Humbja rezultat i ndershmërisë sime njerëzore dhe politike

Ky rezultat është dëshmia më e madhe e ndershmërisë sime politike dhe njerëzore. Po i rendis disa nga arsyet e këtij rezultati:

-Unë kam administruar një buxhet dy herë më të madh sesa ai i Kosovës në krye të një kompanie globale me një numër të madh punëtorësh. Unë kurrë, as dje, as sot nuk kam thirrur asnjë prej tyre të votojë partinë time apo mua. Nëse do të ishte kështu, AKR do ta kalonte pragun e hyrjes në parlament, vetëm me gjysmën e votave të familjarëve të tyre.

– Megjithëse kam disponuar një fuqi kaq të madhe ekonomike, unë kurrë, as dje, as sot nuk kam provuar që të ndikoj në opinionin e medias, nuk kam ndërtuar fushata verbuese me mesazh partiak të paketuar rrejshëm nëpërmjet teknikave më të fundit të komunikimit politik. Nuk kam provuar që të ndikoj tek gazetarët apo analistët, qoftë për të kuptuar më mirë programin tim dhe të AKR-së dhe për të mbajtur minimalisht qasje konstruktive ndaj tij në tryezat e debatit mediatik.

-Unë kurrë nuk kam përdorur as fuqinë e madhe ekonomike dhe financiare të familjes time, por as të shtetit, gjegjësisht të qytetarit të Kosovës në shërbim të gënjeshtrës politike. S`kam përdorur as mjetet, as makinat, as hapësirat publike për të manipuluar.

-Zgjedhjet fitohen nga partitë e organizuara si ushtri elektorale. Unë nuk jam kujdesur veçanërisht në vitet e fundit që AKR të shndërrohet në një ushtri të tillë. Përkundrazi, jam kujdesur për Kosovën në të gjitha kontinentet me mjetet e mia, me miqësitë e mia, me nderin tim, me fuqitë e mia, duke sakrifikuar kohën time, familjen time, shëndetin tim. Edhe kjo ka përcaktuar rezultatin aktual të AKR-së. AKR, hyri në zgjedhje duke e pasur në krye të saj një lokomotivë apo një motor me fuqi të madhe, por karroceria e saj, gjegjësisht aparati organizativ ishte i dështuar.

-Zgjedhjet fitohen nëse rri afër të ashtuquajturave parti të mëdha. AKR nuk u përfshi në ndonjë koalicion parazgjedhor, kështu që vuajti presionin e këtyre partive të paktën në nivel të komisioneve zgjedhore.

-Disa thonë se AKR ka qenë në qeveri. E vërtetë, por AKR nuk shkeli ligjin e punësimit dhe nuk ka punësuar militant partiak në ministritë që ka drejtuar. Të njëjtën sjellje ka mbajtur edhe në komunat që ka drejtuar: jo qasje klienteliste. Pra AKR nuk ka prodhuar interesa gruporë, qasje klienteliste (siç janë rastet me mësuesit, policët etj) që të krijonte kohezion më të madh partiak.

-AKR nuk është parti rajonale, parti bastionesh.

-AKR nuk ka struktura të tjera jopartiake dhe është sabotuar në drejtimin e komunave (Gjakovë dhe Mitrovicë) për të realizuar politika nxitëse në investimet e huaja. Në favor të kësaj qasje bllokuese është krijuar ideja mediale se këto dy komuna nuk kanë bërë asgjë.

-Në mënyrë perverse është krijuar ideja se BehgjetPacolli nuk ka investuar asgjë në Kosovë, nuk ka krijuar vende pune etj. Ma gjeni një biznesmen apo politikanë që ka bërë më shumë?!

-Është tërësisht e gabuar pritshmëria qëështë krijuar me inteligjencë nga qarqe mediatike me frymëzim politik se unë duhet të realizoj investime private në Kosovë për punësim dhe se unë kam dështuar në realizim e tyre deri më tash. Unë e kam bërë deri diku dhe kompanitë e mia këtu janë në humbje, por s`mund ta bëja për gjithë nevojat e Kosovës.

Sidoqoftë, unë i kam krijuar vetëm në Kosovës mbi 2500 vende pune, ndërsa jashtë saj mbi 7000 të tilla.

Nuk ka asnjë precedent në botë që në gjithë territorin e një vendi të jenë investime të një personi. Kjo do të sillte privatizim të atij shteti. Por s`do të mjaftonin as investimet e mia, as të disa personave për të përmbushur nevojat e gjithë Kosovës.

Mirë që flasin për ekonomi

Ndihem krenar për një rezultat që ka arritur përpjekja ime 7 vjeçare në politikë. Përpjekja ime i solli partitë politike në Kosovë në një teren shumë afër qytetarit, në terrenin e zhvillimit ekonomik. Për herë të parë partitë politike u fokusuan në slogane, apo në prioritete kaq të forta programore në favor të zhvillimit ekonomik.

Krenar jam edhe me endjet e pafundme nëpër botë ku përveç lobimit për njohjen e Kosovës unë kam zhvilluar një lloj të veçantë diplomacie që askush në politikën dhe shoqërinë tonë nuk mund ta ushtronte. Unë ka ushtruar në favor të Kosovës diplomacinë ekonomike, e cila mbështetet në dituritë e mija ndërmarrëse, në njohjet e mija personale në nivel të biznesit më të fuqishëm global të ndërtimtarisë, minierave, teknologjive të informacionit dhe komunikimit, të menaxhimit të bankave më të mëdha zhvillimore apo komerciale të botës, të universiteteve më të mëdha të botës.

Unë ashtu si edhe më parë, por edhe në cilësinë e zëvendëskryeministrit, kam lobuar kësisoj për një kohë bukur të gjatë, për të siguruar investitorë strategjik për Kosovën.

Këta investitorë do të vinin në Kosovë, përkundrejt garancive që lidheshin me praninë time në krye të qeverisjes. Kjo kërkesë e tyre e imagjinueshme po të mbahej parasysh se bota gjendet prej kohësh në një lloj krize ekonomike dhe financiare. Të gjesh investitorë të mëdhenj në kushte kësisoj, do të ishte e vështirë edhe për vende shumë më të fuqishme se Kosova. Orientimi i kapitalit kah vende sikur i yni, shtet i ri, i sapodalë nga lufta me shkallë relativisht të lartë konfliktualiteti ndëretnik, apo së paku të imagjinueshme prej së jashtmi, me probleme imazhi është siguruar vetëm prej kësaj garancie personale që vinte prej asaj që është fuqia ime, emri im, nderi im në gjithë botën.

Me mungesën e AKR në qeverisje, humbëm një shans të madh në këtë mënyrë pse humbi pikën e vet të referimit në biznesin dhe ekonominë ndërkombëtare. Kur unë fola në manifestin tonë elektoral, thosha se AKR do ta shndërrojë Kosovën në tregim suksesi botëror. Unë isha i bindur në realizueshmërinë e këtij objektivi për shumë e shumë arsye që lidheshin posaçërisht me emrin tim, ekipin tim, me programin tonë, me ato kontakte, me ato projekte të zhvilluara thuajse gati për implementim. Unë jam një letërnjoftim i besueshëm për Kosovën.

Siç e keni vënë re, në historinë e fundit ekonomike të vendeve të rajonit tonë, rritja ekonomike është e ndrydhur: 3-4%. Ajo sigurohet kryesisht prej investimeve të mëdha publike në infrastrukturë, por sot shteti ynë nuk ka më aq shumë burime financiare sa premtohen nëpër programet e gjithë partive të Kosovës. Ndërmarrësia jonë nuk mund të ngarkohet më shumë me barrë tatimore apo doganore se sa që është aktualisht. Atëherë ku gjinden paratë, investimet për të siguruar rritjen ekonomike të premtuar? Çfarë e diferenconte ofertën tonë programore në raport me ofertën tingëlluese fort edhe verbuese për sytë, që vinte prej partive të tjera?

Unë e dija, ne dinim, ne mund t`i sillnim ato investime që garantonin rritjen e madhe ekonomike, për pasojë në rritjen masive të punësimit të rinisë dhe shoqërisë kosovare, duke garantuar me emrin tonë, eksperiencën tonë, me të kaluarën tonë dhe me fuqinë tonë publike.

Kur ne premtonim rritje ekonomike prej 10 për qind në vit, ne kishim gati projektet dhe investitorët për rivitalizimin e Trepçës dhe pjesë të caktuara të lëmisë minerare.

Ne kishim gati investitorët prodhues dhe financiarë për zonat e lira ekonomike dhe financiare të Gjakovës dhe Mitrovicës.

Ne kishim gati brendet e njohura ndërkombëtarisht për disa produkte bujqësore të Kosovës.

Ne kishim gati investitorë për platformat e mëdha agro ushqimore që do të krijoheshin në tokat e lira që sot dhe gjithë ditën i mban të uzurpuara agjensioni i privatizimit i Kosovës.

Ne kishim gati investitorë për projektet e mëdha infrastrukturore në energjetikë, në rrugë, në hapësirat e përbashkëta ekonomike kombëtare që unë ideova që herët në politikën kosovare madje që kur AKR vepronte në SHBA si kompani lobimi.

Unë dhe ekipi ekonomik i AKR, ndoshta më i miri në hapësirën rajonale kemi një vizion zhvillimor që nuk mund ta ketë asnjëra prej partive politike të Kosovës.

Ne e shohim qartë Kosovën të ndërlidhur me botën, pse ne e njohim edhe Kosovën edhe botën. Ne e shohim edhe ekonominë e Kosovës edhe atë të botës. Ne shohim tërë botën si një e tërë.

Shpesh kam pas dilema nëse më duhet të jem në politikë. Nëse mund t`i bëjë investimet ekonomike edhe pa qenë në politikë dhe kësisoj të ndihmoj vendim tim. Sa herë që e mendoj këtë. Dëshpërohem kur më kujtohet se asnjëri prej këtyre projekteve, asnjëri prej këtyre investimeve nuk mund të realizohet me këtë klasë politike. Sepse është politikë që nuk mbron biznesin. E grabit atë. Sikur të ishte e kundërta, unë kurrë nuk do të kisha hyrë në politikë. Unë nuk do të kisha hyrë në politikë pas suksesit tim të madh në ekonominë globale nëse nuk do të ishte kjo mënyrë egoiste e të bërit politikë si në Kosovë, ku interesi i Kosovës sakrifikohet për harraqin, përqindjen e korrupsionit, prej xhelozisë për suksesin e tjetrit, siç u duk në shembujt e caktuar me investitorë në fushën e bujqësisë në Mitrovicë apo Prishtinë.

Mua mu desh që të shërbeja si garantues personal për investime qindra milionëshe që priteshin të vinin mandatin e ardhshëm në ekonominë e Kosovës, garanci që do të ishte më bindëse nëse unë do të isha vendimmarrës kryesor në Kosovë. Sot këto investime mjerisht nuk vijnë dot. Sot këto projekte, fatkeqësisht nuk mund të realizohen dot. Kjo është arsyeja pse unë them se me mos përfshirjen e AKR-së në parlament, kemi humbur shansin që Kosova të jetë shtet i lirë dhe i vetëmjaftueshëm ekonomikisht.

Zgjidhja e sovranit nuk paragjykohet

Unë, AKR-ja nuk ditëm t`ia përcjellim si duhet sovranit mesazhin e zhvillimit ekonomik.

Oferta jonë programore edhe për shkak të mosnjohjes së përgjithshme të qytetarit kosovar për biznesin ndërkombëtar u shtyp nga oferta e bujshme tingëlluese të partive që kanë të kaluar luftën apo rezistencën paqësore, por shumë pak eksperiencë menaxhuese në ekonomi dhe biznes.

Ne nuk ditëm të krijonim një hapësirë tonën komunikuese me qytetarin, pse ne u mundëm përkohësisht nga politika tradicionale. Ne nuk mundëm as të tregonim qartë sukseset e para të dy komunave ku ne po qeverisim të paktën në goditjen e korrupsionit, pse ne u sabotuam, qoftë nga ekzekutivi në përpjekje për të sjellë investime, qoftë nga kuadri ligjor pengues, qoftë edhe nga xhelozia apo taksat e korrupsionit në të gjitha nivelet.

Me mospërfshirjen e AKR në qeverisje dhe parlament, Kosova humbi një shans të madh historik për zhvillimin e vrullshëm ekonomik. Ky zhvillim do t`i sillte edhe realizimin e vërtetë të pavarësisë së saj në të gjitha kuptimet. Nuk ka kuptim pavarësia kur 40 përqind të popullsisë është e varfër dhe kur 12 % jetojnë nën nivelin e varfërisë ekstreme. Doktrina dhe praktika jonë e zhvillimit ekonomik nëpërmjet tregut unik kombëtare, nëpërmjet zonave të lira ekonomike, do të siguronte zhvillim të vrullshëm të gjithë territorit dhe në mirëqenien e përgjithshme do të kishin akses edhe minoritet. Ne do të kemi gjithmonë probleme integrimi të minoriteteve brenda Kosovës nëse niveli zhvillimor yni, do të jetë shumë më i ulët se sa ai i fqinjëve.

Këto elemente-Unioni Ekonomik, zonat e lira ekonomike, rivitalizimi i Trepçës me investitorë strategjik duke ruajtur pronësinë publike, janë thelbi i patriotizmit tonë modern.

Më besoni, se për një njeri që ka arritur të ndërtoj një perandori ekonomike në botë, është e padurueshme ta shoh ngecjen ekonomike të vendit të tij. Kjo ndoshta nuk do të ishte kaq emocionale, por unë derisa krijoja perandorinë atje, mendoja se si jam misionari i këtij vendi të varfër.

Nëse do të kisha etje për pushtet, do të përdorja këtë perandori ekonomike për të blerë gjithçka në Kosovë. Nuk e bëra dhe nuk e bëjë dot. Sepse unë nuk dua ta ndihmoj vendin tim të zhvillohet ekonomikisht duka ia lënduar demokracinë dhe konkurrencën e lirë.

Unë kisha ofertë ekonomike dhe jo ofertë demagogjike, fjalësh të bukura. Më vjen keq shumë, por ky shans iku dhe sfidat e mbijetesës sonë ekonomike, të luftës kundër varfërisë, për pasojë sfidat e qeverisjes ngelën para nesh dhe në kurrizin tonë. Sfida edhe më të forta se kurrë. Edhe në këtë periudhë kur aktualisht skenën politike e ka ngulfatur ngërçi i krijimit të institucioneve të reja, deklaratat publike të liderëve politik përmbajnë gjithçka, ndarje postesh, hakmarrje personale, bllokim të proceseve, por mungon ajo kryesorja: preokupimi për gjendjen socioekonomike të qytetarëve. Kjo tregon më së mirë për katandisjen e shtetit.


Intervista e fundit

Rrjetet sociale

Copyright © 2017 Behgjet Pacolli | Administrator: Naim Murseli